Kaja: Cakoviç është nacionalist, e bëri atë gjest me vetëdije

INTERVISTË- Ervis Kaja ishte lojtari i parë i Apolonisë që ndali portierin Vilson Cakoviç, duke i marrë nga dora flamurin shqiptar, të cilin serbi në mënyrë të çuditshme ia rrëmbeu tifozit që u fut në fushë.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi kavajas që luan për fierakët, thotë ndër të tjera se gjesti i Cakoviç ishte i pritshëm.
Ai zbulon se portieri është nacionalist dhe “kokën” e ka nxjerrë pas ngjarjeve që ndodhën në ndeshjen Serbi- Shqipëri.
Ervis, ju ishit i pari që reaguat kundër Cakoviçit në momentin që i mori flamurin shqiptar tifozit fierak…
Po, dhe jam shumë krenar që e bëra atë gjest. Është një ndjenjë e papërshkruar që e përjeton vetëm në atë moment kur e shikon flamurin shqiptar.
Si e shpjegoni gjestin e portierit serb?
Shikoni, unë dua të flas me pastërti. Nga tre lojtarët serbë që kemi në skuadër, vetëm Cakoviç është nacionalist. Ndërsa Rajkoviç dhe Xhorxheviç nuk janë të tillë, por si mund ta them ndryshe, janë djem të mirë, shumë të respektueshëm nga e gjithë skuadra.
Ku e keni kuptuar nacionalizmin e Cakoviçit?
Pikërisht kur ndodhi incidenti në ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Pse, çfarë ju thoshte?
Mbajti qëndrim për atë që ndodhi, nuk e kaloi me sportivitet, siç bënë serbët e tjerë Rajkoviç e Xhorxheviç. Këta të fundit e kaluan me shaka atë situatë, pasi në fund të fundit është futboll, ndërsa Cakoviç na bënte sikur ishte Bogdanovi. Gjithsesi, më duhet të them se këtu në Fier e kanë mbështetur shumë Vilsonin, por në tërësi gjithë serbët dhe afrikanët. Ishte një gjest që kurrsesi nuk duhet të ndodhte.
Ju çfarë i thatë në fushë?
U kapa me fjalë, nisa t’i flas në anglisht që të dorëzojë shpejt flamurin. Më pas e bëri një gjë të tillë, pasi e kuptoi që gaboi. Unë mendoj se ishte një gjest i ulët, sepse nuk i takon një serbi të bëjë të tilla veprime, aq më tepër në Shqipëri.
Për ju, ishte gjest i pritshëm nga serbi apo një rastësi?
Për mua personalisht, me aq sa e njoh Cakoviçin, ishte një gjest i pritshëm. Erdhi momenti dhe ai e shfaqi veten, duke konfirmuar qëndrimin që mbante pas ngjarjeve në ndeshjen e Beogradit.
Si e komentoni deklaratën e tij pas ndeshjes se veproi ashtu sepse nuk e kuptoi se ishte flamuri shqiptar?
Tani ai kërkon të bëjë naivin, por është tepër vonë. Jam i bindur se e bëri me vetëdije të plotë gjestin. Ai e pa shumë mirë veprimin e tifozit dhe reagoi.
Ç’punë kishte ai?
Unë i thashë, pse duhet të reagonte, kur flamuri nuk kishte asnjë domethënie me shtetin serb. Në flamur shkruhej për Çamërinë dhe Kosovën, jo për Serbinë. E përsëris, unë jam shumë krenar për mbrojtjen që i bëra flamurit dhe këtë veprim do ta bëja në çdo rast të ngjashëm.
Share on Google Plus

About Unknown

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
    Blogger Comment
    Facebook Comment

0 comments:

Post a Comment