Rrefehet-fili-une-heroi-qe-do-te-shpetoj-apolonine

realdo-filiINTERVISTË- Apolonia ka gjetur ritmet e duhura, çka e tregojnë më së miri edhe 7 pikët në tri ndeshjet e fundit.
Realdo Fili, protagonisti në 3 ndeshjet e fundit, në një intervistë për “Panorama Sport” ka treguar për fillimet e tij me ekipin e parë, golat dhe çelësin e suksesit.
Edhe pse luan si mesfushor, nga ndeshja në ndeshje talenti bardhejeshil është kthyer në një pikë të fortë në formacionin e Mërgjyshit.
Sipas tij, kjo Apoloni do të mbijetojë në Superiore. Fili, kur u bëtë pjesë e ekipit të të rriturve dhe kush trajner u afroi?
Në ekipin e të rriturve jam afruar në moshën 16-vjeçare nga trajnerët Elidon Demiraj dhe Marjol Miho. Ndërkohë që kam debutuar po në këtë moshë me fierakët. Jam aktivizuar afro 15 minuta në ndeshjen e luajtura në shtëpi ndaj Flamurtarit.
Vetëm 16 vjeç, kur mund të vazhdonit të luanit me paratërinjtë. Si ju pritën tek Apolonia?
Fillimi është gjithmonë i vështirë. Kishte dhe ndonjë që shfaqte mosbesim dhe kjo është e natyrshme kur je në një moshë të tillë. Unë nuk u dekurajova, por stërvitesha shumë çdo ditë dhe nëpërmjet kësaj pune sistematike arrita të fitoj besimin e të gjithëve shokëve, skuadrës dhe trajnerëve.
Cili ishte çelësi i zhbllokimit tuaj që u çoi te goli i parë me fanellën bardhejeshile?
Gola kisha shënuar me këtë fanellë, por me ekipet e moshave ku isha aktivizuar më parë. Ndërkohë që ishte ëndrra ime të shënoja dhe me ekipin e të rriturve, ku tashmë bëj pjesë. Ishte puna sistematike që unë bëja, besimi i shokëve të skuadrës dhe trajnerit Mërgjyshi që më inkurajonin. Kishte ardhur dhe koha e momenti i duhur që unë të shënoja golin tim të parë si lojtar profesionist.
Tre gola në tri ndeshjet e fundit. Rastësi, fat apo meritë?
Golat kanë ardhur gjithmonë si pasojë e lojës së bukur kolektive dhe me theks sulmues që Apolonia ka zhvilluar në këto ndeshje të fundit. Shpresoj të kemi këto ritme dhe këtë ecuri edhe në ndeshjet në vazhdim të kampionatit, duke filluar nga ajo e radhës që do të luajmë në transfertë ndaj Laçit.
Çfarë keni përjetuar, kur keni shënuar?
Ndjesia më e madhe, më e bukur, për një futbollist është kur shënon gol. Jam ndier shumë i gëzuar dhe i lumtur jo vetëm për këtë fakt, por dhe se skuadra ka marrë pikë që na kanë munguar disi gjatë në këtë kampionat.
Apolonia dhe nga golat e shënuar prej jush ka më shumë shpresë e besim te mbijetesa. A do të vazhdojë Fili me këto ritme?
Po punoj shumë në stërvitje në këtë drejtim, ndaj shpresoj që të mos ndalem këtu, por të shënoj dhe asistoj për shokët e skuadrës, duke ndihmuar që ekipi të fitojë. Kjo është më e rëndësishmja dhe jo se kush do të shënojë.
Çfarë ka ndryshuar tek Apolonia që u rikthye te rezultatet pozitive pas një pritjeje të gjatë?
Mendoj se çelësi i këtij rikthimi është trajneri Artan Mërgjyshi. Ai ka ditur që me durim të injektojë në skuadër mendim dhe mentalitet të ri. Ka rritur frymën e besimit dhe të harmonisë brenda në ekip dhe ka bërë me skuadrën një punë me të vërtetë profesionale, duke mos humbur asnjëherë besimin tek ajo.
Besoni te mbijetesa e Apolonisë?
Të gjithë besojmë te mbijetesa në Superiore. Ne i njohim mirë forcat dhe mundësitë tona. Po kalojmë momente të mira dhe do të vazhdojmë me këto ritme, duke bërë prezantime dinjitoze dhe, mbi të gjitha, duke grumbulluar sa më shumë pikë të jetë e mundur.
Ftesa e marrë nga Kombëtarja Shpresave çfarë përbën për ju?
Në radhë të parë është një nder dhe vlerësim. Gjithashtu është dhe një obligim dhe shtysë shumë e madhe për të punuar edhe më shumë, në mënyrë që të vazhdoj të kem një ecuri pozitive.
A mendoni se do të jeni i suksesshëm dhe aty?
Kam qenë dhe më parë pjesë e ekipit kombëtar të U-17 dhe U-19 dhe mendoj se me punë do ta përfaqësoj denjësisht ekipin tim së bashku me Uzunin.

Share on Google Plus

About Unknown

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
    Blogger Comment
    Facebook Comment

0 comments:

Post a Comment